
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i është referuar sërish këtë mbrëmje aksionit ku u kapën 613 kg kokainë. Sipas tij superoperacioni i sotëm ishte produkt i policisë së shtetit dhe hetimit doganor.
"Një super operacion i Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor u zhvillua në diskrecion të plotë dhe me rezultatin e pritshëm spektakolar, falë një punë me përkushtim dhe sakrificë njerëzore. Roli udhëheqës dhe ekzekutues i Policisë së Shtetit në kuadër të këtij operacioni është konfirmim i aftësisë zbuluese dhe investiguese në rritje të Policisë së Shtetit dhe vullnetit të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar", shkruan Xhafaj në "Twetter".
Ministri vazhdon më tej me një thirrje për Prokurorinë, e cila tani ka kompetencën e hetimit për të çuar përpara drejtësisë këdo të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
“Kam shpresë se Prokuroria, e cila tani ka kompetencën e hetimit do të jetë në lartësinë e detyrës për të çuar përpara drejtësisë këdo të përfshirë në këtë veprimtari kriminale edhe si mundësi për të larguar çdo spekulim politik dhe mediatik mbi këtë ngjarje”, ka shkruar Ministri.
Xhafaj ka shtuar se është i keqardhur jo vetëm si Ministër por edhe si qytetar për sulmet absurde politike që dolën këtë të mërkurë fill pas operacionit për kapjen e kokainës. Më tutje Ministri ka sqaruar se nuk ka patur asnjë përplasje mes tij dhe kryeministrit në lidhje me bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare dhe ato të huaja. Xhafaj shkruan se operacioni ka qenë i Shqipërisë, e më tutje janë njoftuar gjithashtu dhe autoritetet e huaja.
"Sa për spekulimin për “përplasjen” mes deklaratës time dhe asaj të KM për bashkëpunimin me partnerët, sqaroj se: identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të, ishte falë Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor", shkruan Xhafaj.



