Partia Demokratike të premten ka akuzuar Qeverinë për mungesë transparence për ndihmën sociale dhe atë ndaj biznesit.
Përmes një deklarate për mediat, ish-deputetja Jorida Tabaku i bëri thirrje Qeverisë se qytetarët duhet ta dinë se kush përfiton nga ndihma.
“17 ditë pas rëndimit të krizës, pse nuk ka ende një VKM për pagesat që u lajmëruan nga Qeveria?”, thekson Tabaku.
Ajo theksoi se nuk ka ende asnjë përgjigje se çfarë do të bëhet me 35 mijë biznese dhe mbi 70 mijë të papunë të përjashtuar nga skema.
Tabaku, theksoi se ndihma është një detyrim ligjor i qeverisë në kushtet e fatkeqësisë natyrore.
Sipas saj, të anulohet çdo transaksion i panevojshëm, deri në kalimin e krizës.
Ish-deputetja demokrate mendon se paketa sociale e miratuar nga Qeveria është e pamjaftueshme, pasi mijëra familje në nevojë apo biznese nuk përfitojnë dot prej saj.
“Sot llogariten rreth 65-80 mijë biznese të mbyllura, pa asnjë aktivitet si pasojë e masave të marra nga epidemia. Rreth 35 mijë, në rastin më të mirë, nuk janë përfshirë në paketën sociale të Qeverisë. Çfarë do të ndodhë me ta? Kush kujdeset për ta”, citohet nga deklarata.
Ajo thekson se veprimi në kohë nga Qeveria është i domosdoshëm dhe çdo vonesë është e patolerueshme.
“Sot 300 mijë familje në nevojë për mbijetesë kanë nevojë për ndihmë, pasi mbyllja në shtëpi i ka hequr edhe mundësinë minimale për të ushqyer me bukë fëmijët”, tha Tabaku.
Ndërsa shton se shteti ka detyrimin që në këtë moment të vështirë të jetë pranë të pamundurve, t’u sigurojë atyre minimumin për të jetuar dhe për t’u ushqyer.



