Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dalë me një komunikatë për media pas disa problemeve teknike, lidhur me faqen e rezultateve dhe dyshimeve për çështje me votat.
Në një njoftim të mërkurën, KQZ tha se integriteti i votës gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk është cenuar, dhe, megjithë problemeve të hasura gjatë procesit, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve.
Komisioni tha se është “përkushtuar maksimalisht” për të përfunduar sa më shpejt numërimin e votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimin e votave të subjekteve politike. Po ashtu, do të numërohen votat me kushte, ato të personave me aftësi të kufizuara, dhe votat e marra jashtë Kosovës.
KQZ është e angazhuar që të gjitha këto procese të kryhen në kohën më të shpejtë të mundshme, por duke siguruar saktësi në evidentimin e vullnetit të çdo votuesi.
KQZ sqaron se integriteti i votës nuk është cenuar dhe, pavarësisht vonesave që janë shkaktuar nga problemet me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve.
Numërimi i votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimi i votave të subjekteve politike ka filluar në Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh. Sipas KQZ-së, procesi në këto komuna po zhvillohet pa probleme, përveç disa vështirësive të herëpashershme në Prishtinë. Gjatë ditës, do të nisë numërimi i votave edhe në qendra të tjera.
KQZ ka kërkuar gjithashtu nga Prokuroria dhe institucionet përkatëse të sigurisë që të hetojnë çështjen e mosfunksionimit të platformës online për rezultatet përfundimtare. KQZ është vënë në dispozicion për bashkëpunim dhe po punon për të adresuar çështjet teknike të mosfunksionimit.
Në lidhje me rezultatet preliminare të subjekteve politike dhe pjesëmarrjen, që janë raportuar me pasaktësi gjatë këtyre ditëve, KQZ ka njoftuar se po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për përmirësime dhe do të informojë publikun me kohë.
Problemet me faqen e KQZ-së kanë filluar që nga nisja e numërimit, ku në mbrëmjen e 9 shkurtit u njoftua se të dhënat nuk duhej të merreshin parasysh për shkak të telasheve me platformën. Kjo çështje është rregulluar mëngjesin e së hënës.
Numërimi i mbi 84 mijë votave nga diaspora do të fillojë në fazën pasuese, ndërkohë që në Prishtinë dhe katër komuna të tjera ka filluar numërimi i votave për kandidatët për deputetë.
Për momentin, ende nuk është përfunduar numërimi i të gjitha votave të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Deri tani janë numëruar mbi 99% të votave, por ka 11 vendvotime nga 2533 që ende nuk janë procesuar në uebfaqen e KQZ-së.
Deri tani, nga 2522 vendvotime të procesuar, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 40.86% të votave, apo 340,541 vota. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 183,661 vota, ose 22.04%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 17.62% apo 146,815 vota. Koalicioni AAK-Nisma, konservatorët dhe intelektualët ka marrë 62,111 vota ose 7.45%, duke siguruar kalimin e pragut prej 5%.



