Kryeministri Edi Rama është në një takim me pedagogë dhe studentë të nga Universiteti Bujqësor në Kamëz. Rama përsëriti gatishmërinë për të plotësuar 8 kërkesat e studentëve, duke theksuar faktin se për këtë duhet më parë dialog.
Gjatë takimit, një prej studenteve të pranishme kërkoi përgjigje për tarifat, ndërsa shtoi se nuk kishte marrë njoftim se në takim do të ishte i pranishëm kryeministri.
“Tarifat shkollore sipas VKM 2015 do të ishin të pandryshuara edhe në vitet pasardhëse. Doja të dija a janë rritur tarifat nga viti në vit deri në 2018-n? Atëhere, si shpjegohet që unë studente e degës së Financë-Kontabilitet paguaj 320, nuk e di kush duhet të më përgjigjet ju apo rektori, por ligji nuk po zbatohet siç duhet sepse dega Financë-Kontabilitet, kursi i parë, ka tarifë 350, unë kursi i dytë 320 dhe kursi i tretë 320. E para kjo dhe e dyta. Rektori na njoftoi se do të ketë takim me studentët dhe nuk na ishte njoftuar që do ishit ju zoti kryeministër dhe nuk më pëlqeu një mënyrë e tillë përçarjeje që po bëni. Ndaj unë do jem e para që braktis këtë mbledhje. Faleminderit dhe kalofshi mirë dhe shpresoj të kemi përgjigje”, tha ajo.
Ndërsa kryeministri u përgjigj se studentët po rrezikojnë të humbasin atë që kanë krijuar deri tani, duke mos pranuar dialogun. “Përgjigjen kur e pret, kur të ikësh? Ku është pjesa për duartrokitje? Në protestë nuk ndryshojnë rregullat e mirësjelljes. Këto janë të shkruara para nesh dhe duhet t'i respektojmë. Edhe ju që duartrokisni nuk jeni të detyruar të rrini, nëse nuk doni të rrini. Nëse më ndihmon dikush nga ju që duartrokisni ta gjejmë në histori këtë që bëni ju, unë do ju isha mirënjohës. Se do thosha kjo nuk është hera e parë që ndodh, studentë që ngrihen në protestë dhe nuk pranojnë të dialogojnë, i tremben vetes së tyre. Megafonin e kam përdorur unë, megafoni është i nevojshëm kur nuk të dëgjoni njeri, por kur pala thotë të dëgjova dhe thotë hajde ulemi dhe ti nuk ulesh, atëherë problemi është te ty. Jeni shumë larg nga ata studentët e atij dhjetorit tjetër. Sepse ata studentët u ngritën kundër një regjimi, i cili nuk dihej se çfarë mund të bënte. Mund të nxirrnin edhe tanket në rrugë. Unë e kuptoj shumë mirë që mos të biem dakord, por ama që mos të flasim? Si mendoni se do t’i zgjidhim problemet? Me atë variantin plotëso këto, pastaj të flasim? Asnjëherë. Jo vetëm kaq, por rrezikoni të humbni edhe atë që krijuat vetë. Është e sigurt që nuk zgjidhi gjë që doli jashtë”, tha Rama për studenten që la sallën.



