
Në lidhje me deklaratat e aktorit Robert Ndrenika për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar reagoi edhe kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla.
Sipas Ballës, PD po e përdor aktorin Robert Ndrenika si mish për top. Kreu i drupit socialist, shprehet se deputetët e PD-së nuk e kanë seriozisht “luftën” për teatrin, duke thënë se është njëlloj sikur të besosh që Lulzimi është Robert Deniro dhe Albana është Julia Roberts.
"Dëgjova nga mediat se ishit ankuar për mungesën e deputetëve të grupit tim parlamentar në nje mbledhje private të kryetares së Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, e thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Asnjë deputet i grupit parlamentar socialist nuk bojkoton Kuvendin apo komisionet. Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik e kishte përcaktuar mbledhjen e radhës më datë 18 qershor me vendim të Komisionit. Por për nevoja të skenaristit të Shqupit, që sot nuk kishin ndonjë lajm me babale, u munduan t’ju përdorin përsëri ju si mish për top në teatrin e tyre të radhës. Më beso i dashur Robert, nëse Ti beson se Albana Vokshi apo Lulzim Basha e kanë megjithë shpirt “luftën” për Teatrin, është njëlloj sikur të besosh që Lulzimi është Robert De Niro dhe Albana është Julia Roberts", deklaroi Balla.
Aktori Robert Ndrenika ishte sot i pranishëm në seancën dëgjimore në Komisionin e Medias ku bashkë me disa aktorë të tjerë kanë kërkuar debat me ministren Mirela Kumbaro në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar, pro kjo e fundit nuk ka qenë e pranishme.
Ndrenika është shprehur i revoltuar për mungesën e ministres Kumbaro në këtë debat duke thënë se “nuk na përfillin fare”.
"Bojkoti i tyre tregon se këtu duhet të nisë lufta, jo me Korenë e Veriut. Unë erdha me mendjen që edhe të hyja në debat dhe të arsyetoja me të, kurse ata s’vijnë fare. Di të them që partneriteti publik privat, me tokën e Teatrit Kombëtar është shqeto vjedhje, grabitje. S’na përfill kush, na përbuzin, s’na përfillin", deklaroi Ndrenika.



