
Kryedemokrati Sali Berisha në një takim me banorët e degës 6, 7 dhe 16 të Tiranës, ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama se ka organizatë kriminale.
Ai poashtu ka bërë thirrje protestën e 11 shkurtit, teksa tha se e shtuna do të jetë ditë e nxehtë dhe përmend shpopullimin si një faktor që pretendon se e ka shkaktuar qeveria e Ramës.
E shtuna është një ditë e madhe. Moti siç e shihni është i ftohtë, por ajo do të jetë një nga ditët më të ngrohta për shqiptarët, të cilët presin me zemër protestën tonë të fuqishme, presin siparin e revolucionit demokratik, me të cilin ne duhet të largojmë, përmbysim një nga regjimet më karikaturë, një nga regjimet më diktatoriale, një nga regjimet më të shëmtuara, më antishqiptare që ne kemi patur në histori.
Edi Rama me grupin e tij, sillet ndaj këtij vendi, si një organizatë e vërtetë kriminale. Si një organizatë, si një grup që nuk ka interesa të qytetarëve. Nuk kanë interesa të vendit, të kombit, por kanë interesa vetëm të pushtetit të tyre, për të vjedhur, pasuruar dhe për të vazhduar qeverisjen e tyre, për të shkretuar vendin.
Asnjë vend në Europë dhe botë, në një hark kohor 8 vjeçar, nga viti 2014-2022, pavarësisht nga luftërat që mund të ketë përjetuar, luftëra botërore, civile apo rajonale, nuk ka humbur më shumë se 1/3 e kombit siç kemi humbur ne në këto vite. Statistika e fundit është dramatike e Eurostat. 937 mijë janë larguar vetëm në hapësirën e BE-së, atë Shengen, pa llogaritur emigrimin, largimin e tyre për në vende të tjera, jo të BE
Berisha mes tjerash, i ka bërë thirrje demokratëve që të sulmojnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës me vezë dhe domate kudo që kalon, sepse sipas tij, ai ka vjedhur paratë e shqiptarëve.
Shikoni çfarë ndodh. Sharra është ndërmarrja e tyre, 100% e Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Kontrata thotë se plehrat do të depozitohen me 11 euro për ton, do të paguani ju, qytetarët për ti depozituar. Ai që nuk ka emër që s’meriton, një hajdut i neveritshëm, i pafytyrë, i pa turp, më falni për shprehjen, kalon rrugicave dhe u merr tek ndërmarrja e tij u merr 29 euro, që sipas kontratës u merren nëse digjen.
Nuk digjet asnjë ton, depozitohen si 25 vite më parë dhe u taton ju, 29 euro. A lejohet ky njeri të qarkullojë nëpër Tiranë. A nuk është një hajdut i secili prej jush. A nuk është një hajdut i cili vjedh familjet në Tiranë. A nuk duhet gjuajtur me vezë, domate, kudo që kalon. Çfarë është ky, më thoni, çfarë na bëjnë këta ne.
Kur vjen një hajdut në oborr dhe merr diçka, ikën me vrap, kurse ky kalon si hije me 30 policë rresht, kudo që të jetë, ky duhet gjuajtur vezë dhe domate. Këtij i duhet treguar vendi, nuk ka turp dhe cipë. Ku i çon paratë, i çon në Iran. Ta dini nga unë ju, i çon në Iran, të dalë të thotë jo.
Ai holandezi që kanë gjetur në Holandë, ai ortak kryesor në këtë ndërmarrje ka një italian i cili është i lidhur këmbë e krye me ndërmarrjen shtetërore të Iranit. Kjo është historia. Kur flitet për Iranin ai nuk e çel gojën. Edi Rama, Erion Veliaj, Belinda Balluku, të gjithë janë të lidhur në krim.
A kemi ne të ardhme në këtë mënyrë, nuk kemi ne të ardhme me këta. Sa të na rrëmbejnë të ardhmen tonë, le ti lëmë në të shkuarën e tyre. Sa ta kthejnë Shqipërinë në një vend të mallkuar, le ti mallkojë Shqipëria këta. Nuk kemi ne të ardhme kështu.



