
Presidenti Ilir Meta 48 orë para zgjedhjeve të 25 prillit, iu ka dërguar mesazh të gjithë shqiptarëve.
Ai thekson se ditën e zgjedhjeve duhet që të shmanget çdo incident artificial e provokim i qëllimshëm, që më 25 prill të vendosë sovrani!
"Mbeten vetëm 48 orë, kur me votën tuaj ju do të përcaktoni vullnetin e Sovranit për drejtimin e vendit. Të gjithë i kanë sytë te Shqipëria, vendi më problematik i rajonit dhe i Europës për zbatimin e standardeve të demokracisë dhe të zgjedhjeve.
Le të manifestojmë me qytetari dhe kulturë demokratike, vullnetin tonë të lirë për zgjedhjen e përfaqësuesve tanë në drejtimin e vendit.
Prandaj, në këto orë të mbetura nga Referendumi historik i 25 Prillit, bëj thirrje, që të shmanget çdo incident artificial dhe provokim i qëllimshëm, që synon të dëmtojë zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë", shprehet Meta.
Një thirrje të posaçme, Presidenti i drejton edhe të gjithë forcave të ruajtjes së rendit, Policisë së Shtetit dhe punonjësve të administratës publike, që të tregojnë integritet dhe të ushtrojnë detyrën e tyre duke zbatuar me rigorozitet vetëm ligjin duke mos u bërë palë me politikën.
"E ritheksoj, që këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme! Sepse ato janë jo vetëm për 4 vite, por për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Prandaj, të tregojmë qytetari dhe kulturë demokratike në këto zgjedhje sepse ato duhet të jenë një moment bashkimi dhe feste e demokracisë.
Pjesëmarrja e çdo qytetari në zgjedhje është jo vetëm një detyrim qytetar, por edhe një akt i domosdoshëm patriotik. Me votën tuaj të lirë, ju vendosni për Shqipërinë në Europë! Ju vendosni për Shqipërinë e shqiptarëve! Më 25 Prill vendosni Ju! Vendos Sovrani!", përfundon Meta.



