Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të rinumërohen votat për subjektet politike të 50 vendvotimeve, 15 prej të cilave u takojnë komunave të ndryshme, ndërkaq 35 të tjera vetëm të komunës së Vushtrrisë.
Këshilli i Operacioneve Zgjedhore ka rekomanduar që 15 kuti votimi të rinumërohen për shkak se sipas Arianit Elshanit, përfaqësuesit të Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, ka pasur mospërputhje në listën e nënshkrimeve.
Ka pranuar kërkesë të verifikimit të listës së votimit. Janë identifikuar 15 vendvotime që ka mospërputhje të nënshkrimeve. Këto 15 vendvotime rekomandojmë që të kenë një rinumërim të plotë për të gjitha subjektet politike të shpërndara në gjithë Kosovën.
Elshani ka shtuar se është rekomanduar që edhe 25 vendvotime në Vushtrri të hidhen në rinumërim për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të votave.
“35 kuti të numërimit do të rinumërohen për shkak të diferencave të votave të kandidatëve dhe një arsye shtesë është se kemi të bëjmë me një ekip të rinumërimit. Dëshirojmë që t’i heqim të gjitha dyshimet tona”, ka thënë ai.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka thënë se Sekretariati është gati që të fillojë rinumërimin e këtyre vendvotimeve.
Ndërkaq, sa i përket 177 kutive të votimit me vota me postë, të shpallura të pavlefshme, që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar rivlerësimin e tyre, Sekretariati i KQZ-së tha se po pret të kalojë afati për ankesa në Gjykatën Supreme dhe hapja e këtyre kutive mund të nisë të martën, më së largu të mërkurën.
Përfundon procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 9 shkurtit



