
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë paditur në Prokurorinë e Tiranës, Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” për çështjen e prokurorit Bujar Sheshi.
Opozita shprehet se Marku ka shkelur ligjin në zgjedhjen e Bujar Sheshit si anëtar të Kolegjit të Lartë të Prokurorisë, pasi ky i fundit rezulton se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, një fakt që ligji nuk e lejon.
Kallëzimi është dorëzuar pranë Prokurorisë së Tiranës dhe mban firmën e kryetarëve të grupeve parlamentare Edmond Spaho e Petrit Vasili.
Në kallëzim thuhet se Prokurorja e Përgjithshme e Përkoshshme Arta Marku ka shkelur ligjin duke vendosur si anëtar të KLP-së Sheshin, pa pritur më parë përgjigjen që do të jepte Autoriteti i hapjes së Dosjeve, duke shpërdoruar kësisoj detyrën e saj.
Opozita kërkon mbi bazë të këtij arsyetimi pezullimin e Markut nga detyra e saj.
Por vetë Bujar Sheshi i ka mohuar akuzat dhe ka ngritur padi në Prokurori kundër Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Autoriteti ka gjetur dokumente, sipas të cilit, Sheshi ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin Venusi.
Ligji pengon të bëhen sot anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ata persona që para 2 korrikut 1991 ishin anëtarë të Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtorë apo as të favorizuar të Sigurimit të Shtetit.



