Pas mbledhjes së qeverisë, ministrat kanë dalë në deklarata për mediat mbi vendimet më të fundit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, në lidhje me pamjet që ka shqetësuar prindërit ku persona me shami janë paraqitur pranë shkollave në Tiranë ka theksuar se nuk ka nevojë për panik dhe se ministria është në komunikim të vazhdueshëm me policinë.
Ajo ka theksuar se masat e sigurisë në shkolla janë në nivel të lartë dhe se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit është i pandërprerë.
“Masat e sigurisë në të gjithë shkollat tona janë në garantim të sigurisë së fëmijëve dhe institucioneve arsimore.
Jemi në bashkëpunim 100% me policinë, patrullat janë aty në mëngjes, kur mbaron mësimi dhe madje edhe në pushimin e madh,” deklaroi Kumbaro, duke shtuar se po rritet edhe numri i oficerëve të sigurisë në shkolla.
Ajo u ndal gjithashtu te miratimi i një akti të ri nënligjor në fushën e shkencës, duke e cilësuar si hap të rëndësishëm në përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Sipas saj, akti i 12-të nënligjor për ligjin e shkencës 2024 synon përafrimin me direktivat e BE-së dhe forcimin e kërkimit shkencor, i cili, sipas saj, është financuar ndjeshëm më shumë krahasuar me vitin 2022.



