
Fushata elektorale në qarkun e Durrësit, në prag të zgjedhjeve të 11 majit, ka kaluar deri më tani me tone të moderuara në dukje, por nuk kanë munguar tensionet dhe akuzat mes palëve.
Korrespondentja e “MCN Live”, Ervina Garo, në një përmbledhje të situatës në këtë zonë, thekson se opozita ka lëshuar akuza të forta për përfshirje të krimit të organizuar në fushatë, si dhe për shit-blerje të votës, por deri më tani nuk ka asnjë denoncim konkret pranë institucioneve ligjzbatuese.
Fushata këtë herë po zhvillohet në hijen e SPAK-ut, i cili është shndërruar në njëfarë mënyre në mburojë për të gjitha palët politike, por njëkohësisht edhe në temë qendrore të diskutimit.
Partia Demokratike, është përqendruar te denoncimet verbale që lidhen me ndikimin në zgjedhje, që nga presioni ndaj administratës publike, deri te shitblerja e votës dhe çështja e votave të diasporës.
Po ashtu, janë artikuluar shqetësime për praninë në terren të individëve me precedent penal, të cilët sipas opozitës nuk duhet të jenë të përfshirë në procesin zgjedhor.
E vetmja çështje e denoncuar deri tani zyrtarisht është ajo e bërë nga nisma “Shqipëria Bëhet” ndaj kandidates së PS-së, Valbona Myhedini. Por edhe në këtë rast, rezultoi se personi që shfaqej në video kishte probleme të shëndetit mendor dhe arma që mbante ishte lodër, duke përjashtuar çdo rrezik real.
Deri në këtë moment, nuk ka denoncime zyrtare të verifikueshme që të mbështesin akuzat e opozitës, të cilat mbeten deklarata publike pa ndonjë dokumentim ligjor. Këto shqetësime vijnë më shumë nga opozita dhe jo nga partia në pushtet.



