
Lëvizja Vetëvendosje po përgatit një strategji të re për protesta masive për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, raportojnë sot mediat kosovare. Përveç kësaj, kjo Lëvizje, po tenton të ngrejë edhe një mocion mosbesimi, për të cilin është optimiste se do ta marrë mbështetjen e të gjitha partive opozitare.
Lëvizja Vetëvendosje ka nisur një fushatë për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, shkruan gazeta “Zëri”. Përmes disa tubimeve me qytetarë, Lëvizja Vetëvendosje pretendon të shkojë drejt protestave masive dhe drejt një mocioni mosbesimi, që mund ta rrëzojë Qeverinë.
Nën logon “Kundër PAN hajnisë” i pari i Vetëvendosjes Albin Kurti po pret që të marrë mbështetje të qytetarëve e të deputetëve për të shkuar sa më parë në zgjedhje të reja, shkruan më tutje “Zëri”. Sipas tij, e gjithë kjo fushatë po vjen si pasojë e korrupsionit dhe keqpërdorimeve të Qeverisë aktuale.
“Korrupsioni, papunësia e migrimi po rriten, kurse investimet, rendimentet dhe arsimi po bien. Mbi të gjitha, po shtohet hajnia e po zvogëlohet durimi. Me këto tubime nëpër komuna gjithandej Kosovës shkojmë bashkë drejt protestave qytetare dhe mocionit të mosbesimit në Kuvend, që e largon ketë qeveri dhe mundëson zgjedhjet e parakohshme demokratike për ndryshimet e domosdoshme politike, ekonomike e shoqërore”, ka deklaruar Albin Kurti.



