
Partia Demokratike publikoi emrat fitues të zgjedhjeve të 30 majit për anëtarët e Këshillit Kombëtar. Megjithëse u fol për ripërtëritje, në listë spikasin si emra të rinj, ashtu edhe figura të njohura që kanë mbajtur më parë pozicione drejtuese në parti.
Ish-deputeti dhe një nga themeluesit e parë të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, në një analizë për “MCN Live”, theksoi se opozita ka nevojë për reflektim dhe për një proces të ri hapjeje.
Ne kemi kaluar një sagë të vërtetë si opozitë dhe mendoj se koha bën të vetën.
Degradimi i pushtetit është në nivele të paimagjinueshme dhe kjo krijon mundësi për opozitën.
Ka vend për diskutim, hapje dhe përfshirje më të madhe të intelektualëve, inxhinierëve, juristëve, artistëve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme, në mënyrë që të kemi një përfaqësim sa më dinjitoz.
Partia Demokratike duhet të zgjerojë bazën e saj dhe të ndërtojë një front më të gjerë politik.
Mund të ketë rezerva ndaj Sali Berishës, por ai është zgjedhur nga anëtarësia.
Partia ka rregulla loje që duhen respektuar. Nuk e shoh që një i larguar, i përjashtuar apo i vetëpërjashtuar të mos jetë nesër pjesë e këtij fronti.
Ka vend për të gjithë dhe duhet të respektohen të gjitha kontributet dhe votat.
Biberaj kritikoi gjithashtu mungesën e analizës politike në Shqipëri pas proceseve zgjedhore.
Në Shqipëri nuk janë bërë kurrë analiza serioze pas humbjeve apo fitoreve.
Nuk kemi kulturën e analizës. Shpesh transferojmë përgjegjësinë te të tjerët, ndërkohë që politika nuk është një lojë shahu ku fajin e ka gjithmonë kundërshtari.
Sipas Biberajt, detyra kryesore e opozitës është të rikthejë pranë vetes demokratët që janë larguar ose janë zhgënjyer.
Opozita ka nevojë për çdo votë dhe nuk duhet të tregojë arrogancë.
Ka nisur një proces reflektimi dhe uroj që zgjedhja e kryesisë dhe e forumeve të larta të sjellë një rrotacion elitash brenda partisë”, tha ai.
Duhet të kemi një ‘formacion titullar’, si në futboll, që do të përballet me Edi Ramën në zgjedhjet vendore dhe më pas në zgjedhjet e përgjithshme.
Shpresoj gjithashtu që të ndryshojë edhe Kodi Zgjedhor, në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë mundësi të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre.



