Juristi Evarist Beqiri thotë se ka mungesë transparence në lidhje me ndryshimet që po i bëhen ligjit për SHISH. Në një intervistë në MCN Informacion, ai tha se ky shërbim duhet t’u nënshtrohet mekanizmave të kontrollit.
Ligji i shërbimit është ligj shumë i mirë. Është bërë në bashkëpunim me partnerët. Ky ligj duhet të modernizohet, të merret me kërcënimet e reja, me luftërat hibride. Në këtë terren ka ekzistuar kjo lloj lufte prej dekadash.
Ne sot kemi nevojë për siguri, por siguria pa lirinë na sjell frikë. Ndërkohë liria pa siguri sjell kaos. Ne duhet të gjejmë balancën mes lirisë dhe sigurisë.
Ligji ka kaluar në qeveri, në komisione, ndërkohë nuk dihet me kë është konsultuar. Në një demokraci ligjet nuk bëhen sot për sot. Bëhen edhe për atë që do të vijë nesër. Nuk shoh transparencë. Çfarë do të thotë stabilitet i brendshëm?
Djalli fle në detaje, sidomos te ligjet. Ata që kuptojnë të drejtën kushtetuese, duhet të kuptojnë edhe që në demokraci ka mekanizma kontrolli. Këto institucione që hyjnë në jetën tonë personale duhet ta kenë edhe më të fortë kontrollin.
Shërbimi duhet të ketë kontroll parlamentar specifik. Është institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm për të mbrojtur rendin kushtetues. Duhet shumë kujdes me çfarëdolloj ndryshimi.



