Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që mos t‘i heqë mandatin Kreshnik Hajdarit, kryetar i bashkisë së Kuçovës, i cili nuk deklaroi në formularin e deklarimit dënimin për shkeljen e kufirit, në Greqi, kur ishte 17-vjeç.
Në KQZ u shqyrtua rezultati i verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për Hajdarin.
Gjatë fjalës së tij, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi u shpreh se nuk ka asnjë shkak ligjor që Hajdarit t'i ndërpritet mandati.
Të vazhdojmë me vlerësimin nga ana jonë. Vlerësimi ynë në lidhje me pretendimin është se ligji ka për qëllim që në zyrën e shtetit të ulen persona që plotësojnë disa kushte dhe kritere që bëjnë të besueshëm veprimtarinë e këtij personi.
Në nenin 5 të këtij ligji, pika 1 është përcaktuar, personat e përcaktuar duhet të nënshkruajnë një formular deklarimi ku deklarojnë mos ekzistencën e shkaqeve për të mos u zgjedhur apo emëruar. Sipas këtij neni, detyrimi është për të deklaruar shkaqet, kur ka për të deklaruar atë që ka një funksion publik, kur shkaqet mungojnë nuk ka asnjë detyrim që të deklarojë.
Jemi para një fakti ku Kreshnik Hajdari ka paraqitur formularin e vetëdeklarimit me disa të dhëna dhe në gjykimin e tij, nuk ka paraqitur një të dhënë me një proces penal në një kohë të caktuar të zhilluar ndaj tij në territorin e republikës greke. Në vlerësimin e tij ka qenë e panevojshme ose ka harruar. Kjo e dhënë nuk përbën, tashmë e certifikuar nga Prokuroria e Përgjithshme, nuk e përfshin në kushtet e ndalimit. Ngelet diskutimi te fakti që nuk e ka deklaruar.
Edhe në respektim të precedentëve të krijuar nga ky institucion që nga viti 2020 ne kemi mbajtur qëndrimin që nuk ka detyrim subjekti vetëdeklaruar rrethana apo shkaqe që e ndalojnë të marrin poste publike. Në vlerësimin tim qëndron bindja se një subjekt qe ka detyrimin të deklarojë, nuk ka detyrimin të përfshirë në të të dhëna që nuk përbrëjnë shkak për të kandiduar.
Besoj që nuk ka një shkak ligjor që kryebashkiakut të Kuçovës t’i ndërpritet mandati. Kjo është një cështje që nuk i përket KQZ.
Në përgjigje që Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se Hajdari është dënuar me dënim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janinë.
Kjo, për akuzën e “hyrjes në territorin Grek në mënyrë të paligjshme”.
Në zgjedhjet e 14 majit 2023, Hajdari fitoi bashkinë e Kuçovës me mbi 600 diferencë ndaj Lefter Maliqit të Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, teksa i treti u rendit Ilirjan Koxhaj i Partisë Demokratike.
Hajdari rezulton nën hetim edhe nga SPAK, për akuzën e “Falsifikimit të formularit të vetëdeklarimit”.



