Që prej orës 10:00 të ditës së sotme, në të gjitha hyrjet e Parlamentit janë mbledhur qindra qytetarë, të cilët kanë zhvilluar protestë duke bërë thirrje për revolucion dhe për dorëheqje.
Situata jashtë godinës së Parlamentit ka qenë e tensionuar gjatë gjithë kohës, ndërsa nuk kanë munguar incidentet.
Gazetari Mariglen Kume, raportoi për edicionin e lajmeve në MCN TV, se disa ministra, teksa kanë tentuar të largohen nga ambientet e Parlamentit, janë përballur me reagimin e protestuesve, të cilët i kanë qëlluar me vezë dhe shishe uji.
Edhe deputetët që kanë tentuar të largohen më këmbë nga Parlamenti janë përballur me protestuesit, të cilët kanë hedhur vezë në drejtim të tyre. Thirrje të veçanta janë drejtuar ndaj deputetit Erion Braçe dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.
Për shkak të situatës së krijuar, policia u ka kërkuar deputetëve dhe zyrtarëve që të rikthehen brenda ambienteve të Parlamentit, ndërsa largimi i tyre është realizuar vetëm me automjetet personale dhe nën shoqërimin e një kordoni sigurie nga Policia e Shtetit.
Gjatë protestës janë shënuar gjithashtu përplasje edhe mes vetë protestuesve. Një pjesë e tyre kanë tentuar të futen brenda Parlamentit duke përdorur një kosh mbeturinash, ndërsa një grup tjetër ka kundërshtuar këtë veprim, duke shkaktuar përplasje mes tyre.
Situata vijon të monitorohet nga forcat e policisë, ndërsa tensionet jashtë Parlamentit mbeten të larta.



