Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, me anë të një shënimi në ‘facebook’ ka reaguar në lidhje me 11 të arrestuarit sot nga policia për shkak të dy protestave të zhvilluara në kryeqytet. Ajo e maturantëve para Ministrisë së Arsimit dhe ajo e shoqatës së Transportit Publik te Ministria e Infrastrukturës.
Këlliçi thotë se Rama duhet të ndalojë masat represive ndaj qytetarëve të cilët kërkojnë të drejtat e tyre. Më tej kreu i FRPD-së deklaron se gjobat janë antikushtetuese dhe se në këtë mënyrë qeveria tregon se nuk ka prioritet shëndetin e qytetarëve, por pasurinë e oligarkëve.
Këlliçi nuk nguron të kapet as me arsyen e arrestimit që ishte protesta në kohë koronavirusi, e cila është e palejueshme. Sipas Këlliçit koronavirusi nuk mposhtet me polici.
“Edi Rama duhet të ndalojë masat represive ndaj qytetarëve që kërkojnë të drejtën e tyre. Gjobitja ndaj të rinjve protestues sot përpara Ministrisë së Arsimit apo e shoqatës së transportit është antikushtetuese, është politike dhe tregon standardin e dyfishtë të policisë në shërbim të regjimit në ikje.
Edi Rama nuk gjobitet për grumbullimet e tij, ndërsa qytetarët përndiqen, trajtohen pa dinjitet dhe gjobiten padrejtësisht.
Gjobat politike janë një masë e rrezikshme që synon të shtypë pakënaqësinë kundër një qeverie që nuk ka prioritet shëndetin e qytetarëve, por pasurimin e kryeministrit dhe të oligarkëve.
Koronavirusi nuk luftohet as me polici, as me gjoba, as me kërcënimin se do të mbyllemi sërish. Edi Rama duhet të bëjë testime, të menaxhojë spitalet dhe institucionet, që i ka shndërruar në vatrat kryesore të përhapjes së virusit dhe të rimbursojë qytetarët dhe bizneset për dëmin e shkaktuar nga mbyllja,”-shkruan Këlliçi në ‘facebook’.



