
Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi sot një takim me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ku në fokus të bisedimeve ishte ecuria e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan progresin e arritur nga Shqipëria në negociatat me Bashkimin Evropian, duke veçuar mbajtjen e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri.
Presidenti Begaj rikonfirmoi angazhimin e institucioneve shqiptare për të përmbushur objektivat e vendosura dhe për të mbyllur grupkapitujt negociues brenda vitit 2027.
Reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përputhja e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dëshmojnë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe vullnetplotë për të qenë pjesë e familjes evropiane.
Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm një proces integrimi, por një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit evropian.
Kreu i shtetit falënderoi gjithashtu Presidentin Costa për vëmendjen dhe prioritetin që i ka kushtuar procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë mandatit të tij.
Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që Këshilli dhe Komisioni po i japin Shqipërisë në këtë rrugëtim.
Shqipëria do të vijojë me ritëm të shpejtë dhe rezultate konkrete në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Jemi të bindur se reformat nuk i bëjmë vetëm si kërkesa të BE-së, por mbi të gjitha për qytetarët tanë.



