
Partia Demokratike denoncon se riparimi i rrugës së vjetër Fier-Vlorë, ka kapur vlerën e 2 milionë eurove.
Në një komunikim për mediat anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo akuzoi Autoritetin Rrugor Shqiptar se nuk kursehet për riparimin e bërë.
Sikur t’i kishte para të lëna trashëgim nga babai, Evis Berberi ia ka dhënë tenderin e rehabilitimit të rrugës, jo ofertës më të mirë prej 4. 5 milion euro, por të katërtës prej 6.5 milion.
Dy milionë më shumë, në euro që nuk vijnë nga xhepi i tij, as i Ramës, por i taksapaguesve shqiptarë.
Me dyshimin e fortë se nëse nuk dalin, një pjesë e tyre futen në xhepa zyrtarësh të korruptuar.
Autoriteti i Rrugëve mund të hynte në librin “Guinness” me vendimet anti-ligjore, të papërgjegjshme dhe të kushtueshme.
Ai tha se Partia Demokratike denoncon një akt të tillë, për të cilin shprehet se nuk është i paprecedent për këtë qeveri, por nuk ka precedent në vende normale, ku qeverisja është transparente dhe llogaridhënëse.
Në vijim ngriti tre pyetje që sipas Bozdos do bënte çdo qytetar:
-Pse kalohet te e katërta në listën e ofertave dhe shmangen tri të parat?
-Pse zgjidhet një ofertë që kushton 2 milion euro më shumë se konkurueset?
-Pse nuk ka transparencë të vendimmarrjes?
Në vijim ai tha se Partia Demokratike kërkon vëmendje qytetare dhe të organeve të drejtësisë, për shpenzime të tilla abuzive, dhe rrjedhimisht, korruptive dhe se alarmi bëhet edhe më i fortë, po të kujtosh borxhin publik të vendit, që po kap 100%-in.



