
OSBE ka nisur projektin e financuar nga Bashkimi Evropian për monitorimin e çështjeve gjyqësore të korrupsionit dhe të krimit të organizuar në Shqipëri.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian (BE), organizuan sot një takim me organizata të shoqërisë civile.
Takimi kishte qëllim paraqitjen e një projekti të financuar nga Komisioni Evropian me titull “Mbështetje për një administrim më efektiv të drejtësisë në çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri përmes monitorimit të proceseve gjyqësore”.
Projekti, i cili do zgjasë tre vite, do të mbështetë gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë në krijimin e një baze të shëndoshë rezultatesh në hetimin dhe gjykimin e çështjeve të korrupsionit, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Si pjesë e projektit, zyrtarë të OSBE-së do të monitorojnë çështje gjyqësore të përzgjedhura, mbështetur në metodologjinë e OSBE/ODIHR-it për monitorimin e gjyqeve. Ata gjithashtu do të mbështesin zbatimin e disa politikave të propozuara nga institucionet përkatëse.
Synimi i projektit është që përmes bashkëpunimit të ngushtë me shoqërinë civile dhe median, të theksojë rëndësinë e monitorimit të performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në hetimin dhe gjykimin e çështjeve të korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
Ky projekt është pjesë e një projekti më të gjerë rajonal, të zbatuar nga OSBE-ja, i cili fokusohet te mbështetja për një administrim më efektiv të drejtësisë lidhur me çështjet e korrupsionit të rëndë dhe të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Delegacionit të BE-së dhe të Prezencës së OSBE-së theksuan rolin thelbësor që luajnë shoqëria civile dhe media në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për përgjigjen që u duhet dhënë krimit të organizuar dhe korrupsionit.



