Ish-kryeministri Berisha tha sot gjatë një mbledhjeje me kryetarët e degëve se protestat janë tani kryefjala e PD-së dhe opozitës. Duke vijuar fjalën e tij, Berisha tha se opozita do mbushë rrugë e sheshe dhe do përballet me këtë qeveri që kalon nga skandali në skandal.
Çështja e dytë e madhe, çështja e protestave. Protesta është tani kryefjala e PD-së dhe e Frontit për shpëtimin e Shqipërisë dhe opozitës në tërësi. Ne nuk mund të pajtohemi kurrë me këtë gjendje. Qeveria dhe Edi Rama kalon nga një skandal tjetër, nga një mashtrim në një mashtrim tjetër, nga një vjedhje në një vjedhje tjetër. Protestat tona do i shohë Rama. Do mbushim rrugë e sheshe e do përballemi me këtë qeveri që kalon nga skandali në skandal. Jemi në rrezik absolut për rikthimin e vizave.
Po ashtu Berisha bëri me dije se Tirana, Durrësi dhe Elbasani do të jetë qytetet e parë ku anëtarët e PD-së do të votojnë për primaret.
Në këto primare ne jemi të hapur për çdo anëtar apo simpatizant të PD-së, të kandidojë dhe cilido që mendon se këto janë vetëm për anëtarët, ju them që janë edhe për simpatizantët. Ata janë të lirë të vijnë të votojnë bashkë me anëtarësinë tonë. Ne nuk ofrojmë një diçka të themi të kontrolluar nga kryetari i degës, por një praktikë të vërtetë që cilido që do të provohet është i mirëpritur.
Duhet të bëjmë gjithçka që ky proces të jetë i suksesshëm. Kam besim në përgjegjësinë, përkushtimin tuaj se ju bashkë me anëtarët e kryesive, të seksioneve dhe grup seksioneve do t’i shndërrojnë primaret në një histori suksesi. Është bërë një lloj axhende, kalendari dhe në bazë të tij do të ecet.
Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin do të përpiqemi ta përshpejtojmë dhe me të tjerat, dora-dorës.



