Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Raportin e Dick Marty do të mblidhet nesër për herë të parë për të filluar aktivitetin e saj.
Sipas njoftimit të Kuvendit, Komision i Posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues për gjetjet dhe konkluzionet, që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri për çështjet e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Dick Marty për bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Republikës së Shqipërisë do të zhvillohet me tre pika në rend dite.
Pritet konstituimi i Komisionit të Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë, ngritja dhe përbërja e sekretariatit teknik si dhe caktimi i relatorit ose relatorëve.
"Mbledhja do të zhvillohet me prezencë fizike, në sallën “Pjetër Arbnori”, kati IV te Kryesia e Kuvendit, duke respektuar protokollin e masave anti-COVID", thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Komsioni nis punën prej orës 11:00 në mbledhjen e parë të saj.



