Një ditë para përballjes me Lulzim Bashën në forumet drejtuese të PD, grupimi “Për Partinë Demokratike” përktaësisht kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani dhe ish-anëtarja e Kryesisë, Edit Harxhi, kanë takuar sot demokratët e Korçës rreth aksionit politik për ngritjen e PD pas procesit të 25 prillit.
Kryetari i këshillit kombëtar Bujar Nishani theksoi se Partia Demokratike i humbi zgjedhjet e 25 prillit dhe lideri i opozitës Basha duhet të marrë përgjegjësi për këtë rezultat duke u larguar nga drejtimi i partisë.
“Përgjegjësia politike e dorëheqjes është tregues i përgjegjshmërisë dhe dorëheqja e përgjegjësit kryesor është tregues që ti e konsideron interesin e partisë mbi interesin personal”
Por grupimi “Për PD” kërkon më shumë se largimi i Bashës, dhe Nishani ka bërë apel për një reformim tërësor të partisë më të madhe të opozitës.
Nishani ka vënë në dukje se nëse ky ndryshim nuk ndodh atëherë Edi Rama do të fitojë sërish.
“Ne duhet të bëhemi të vërtetë dhe jo fiktivë, të vërtetë dhe jo hileqarë. PD ka nevojë për një reformim drastik. Thirrja kryesore është për PD ajo është më e madhe sesa një kryetari dhe karrige. Rrezikojmë që PS të rrijë jo 8 e 12 vjet, por edhe 20 vjet. Ne na bashkon shqetësimi që kjo shtëpi nuk është më shtëpi e madhe. Çështja nuk është tek Basha IK, por të marrë përgjegjësitë politike që janë më të mëdha sesa interesi i kryetarit. Ne gjykojmë proçes më të gjerë se sa ndryshimi i një kryetari. Unë besoj tek forca politike e anëtarësisë dhe personaliteteve që PD ka dhe ne do ta nxjerrim në krye PD, Shqipëria do të fitojë kur të rrëzojmë këtë model qeverisje, i kemi të gjitha forcat e resurset për ta bërë”.
Të dielën do të mblidhet kryesia dhe këshilli kombëtar i PD; dhe për herë të parë Lulzim Basha do të përballet me figurat e Partisë Demokratike që kërkojnë largimin e tij.



