
Mazhoranca ka rrëzuar në Konferencën e Kryetarëve dy kërkesa të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore mbi kontratat e ARRSH-së dhe AKSHI-n.
Gazetari Mariglen Kume, në një prononcim për “MCN Live”, bëri me dije se demokratët kërkuan ngritjen e një komisioni hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të ARRSH-së, si dhe për hetimin e ligjshmërisë në funksionimin e AKSHI-së.
Sipas tij, kërkesat u refuzuan qëllimisht, duke treguar mungesë të vullnetit nga mazhoranca për të çuar hetimin deri në fund.
Mazhoranca argumentoi se çështjet janë në hetim nga prokuroria dhe nuk mund të trajtohen nga Parlamenti.
Por, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, hetimi parlamentar nuk dublon hetimin gjyqësor, pasi janë procedura të ndara, siç ishte rasti i hetimeve për inceneratorët.
Kjo nuk është hera e parë që mazhoranca refuzon kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore, dhe se hetimet që kryen Parlamenti shpesh kanë karakter administrativ, pa dokumentim të plotë apo protokollim të duhur.
Refuzimi i këtyre kërkesave tregon mungesë vullneti nga PS për të çuar deri në fund hetimin mbi AKSHI-n, një agjenci që është në varësi të Kryeministrit.



