Duke folur në MCN Live pas vendimit të Apelit të GJKKO për ta lënë në burg kryebashkiakun e Tiranës, politologu Ilir Kalemaj tha se Edi Rama e dinte fort mirë fundin e Erion Veliajt.
Kalemaj vuri në dukje se Edi Rama kishte nuhatur që rrugëtimi politik, por edhe ligjor i Veliajt kishte ardhur në fund të tij.
"Në një farë mënyrë ishte fundi i parashkruar i Erion Veliajt. Z.Rama e dinte fort mirë se kush do ishte fundi i Erion Veliajt, pavarësisht se për çfarë çështje do vinte. E dinte këtë gjë, pasi kishte sjellë në Tiranë disa figura me peshë, nga Gonxhe, Braçe, Majko, dhe duke graduar një nga rivalët e Veliajt, Spiropalin bashkë me Manastirliun, drejtuese politikë në qarkun Tiranë. Ai e kishte nuhatur që rrugëtimi politik po e po, por edhe ligjor kishte ardhur në fund të tij. Z. Veliaj më shumë se sa ndihmesë, ishte kthyer në kosto për PS-në. Kontrollonte një fluks votash të konsiderueshme. Mos harrojmë që Fatmir Xhafaj, Xhafaj tjetër, apo ai pastori fituan me ndihmën e Veliajt. Z.Veliaj nuk gëzon ndonjë simpati të thellë në anëtarësinë e PS-së, pasi është parë si mish i huaj. Rama gjeti mënyrën që me një gur të vriste disa zogj, dhe një nga zogjtë ishte Erion Veliaj".



