
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me negociatorët të cilët janë marrë me procesin e integrimit, ku foli edhe për veton e paralajmëruar nga Greqia për çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Rama tha se nuk do të ketë asnjë humbje kohe, duke u shprehur optimist për zgjidhjen e këtij ngërçi.
Do ta gjejmë gjuhën edhe për këtë, gjithmonë me mirëkuptimin që në asnjë çështje të drejtësisë dhe për asnjë çështje të drejtësisë ne nuk bëjmë asnjë lloj kompromisi me askënd dhe për asnjë arsye.
Me fqinjët tanë ne do të arrijmë së bashku që të vendosim arsyet madhore mbi këtë çështje që nuk ia heqim rëndësinë që ka për fqinjët tanë dhe për të cilën patjetër ne jemi disponibël për çdo gjë që nuk prek procesin e konsolidimit të sistemit tonë të ri të drejtësisë.



