
Rinia Demokratike e Kosovës ka organizuar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për zhvillimet e fundit, të cilat e lidhin këtë ministri për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove të rezervave shtetërore të vajit, sheqerit dhe grurit duke kërkuar dorëheqjen e ministres Rozeta Hajdari. “Rinia largohet, Rozeta pasurohet”, “Ju me zemër, na pa bukë”, “Kjo Qeveri nuk e ka prioritet rininë”, e me të tjera pankarta kanë qëndruar para MINT-it. Kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu tha se MINT në krye me ministren Rozeta Hajdari deri tani ka shpërfaqur vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike. “Përgjimet që lidhen me vajin dhe sheqerin, kjo industri ka blerë vaj e sheqer në vlerë prej 300 mijë euro nga një kompani polake”. Shihet qartë se Qeveria Kurti me skandale nuk është duke pasur kohë dhe nuk e ka prioritet rininë. Në kërkojmë dorëheqjen e Rozeta Hajdarit dhe kërkojmë që Prokuroria të nisë hetimet e menjëhershme”. PDK kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe kërkuan nga organet e rendit t’i hetojnë këto skandale korruptive. “Përgjimet që lidhen specifikisht me vajin dhe sheqerin dëshmojnë se kjo ministri ka blerë vaj dhe sheqer me vlerë mbi 300 mijë euro prej një kompanie polake. Paret i kanë dhënë, por vaji, sheqeri e gruri nuk janë askund. Ne po e zhvillojmë këtë aksion simbolik, sepse kjo ministri në krye me Rozetën nuk ka treguar rezultat deri më tani, por vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike”, theksoi Salihu. Ky organizim vjen pasi janë publikuar disa audio-incizime ku pretendohet se zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë bisedojnë lidhur me nënshkrimin e një kontrate për rezervat shtetërore, e cila ka nxitur reagime në opinionin publik.



