
Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar ankimimin e Partisë Demokratike ndaj vendimit të Komisionit të Ankesave (KAS), për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit në Fier.
PD-ja e çoi çështjen në Kolegjin Zgjedhor, pasi kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve, me pretendimin se ka pasur parregullsi nga ana e Partisë Socialiste.
Sipas anëtarëve të Kolegjit, kërkesa e PD-së është e pabazuar në prova dhe në ligj.
Pritet që Kolegji të japë dhe vendimin për qarkun e Elbasanit.

Pas përfundimit të procesit dhe marrjes së vendimit, përfaqësuesi i PD, Marash Logu tha se ky vendim bëri që të humbisnin mundësinë për të qenë transparentë me qytetarët.
Ai e ka cilësuar këtë vendim si flagrant e të paprecedent, ndërsa shton, se çështjen mund ta dërgojnë deri në Gjykatën e Strasburgut.
“Këto vendime janë të paprecedent dhe në kundërshtim flagrant me ligjin zgjedhor në Shqipëri. Ne e dimë se kush ka qenë prapa këtyre vendimeve. Ka shumë qytetar që na pyesin kush është i frikësuar nga masakra e 25 prillit, kush është dora e zezë që mbyll gojën e përgjigja është një dhe e vetme është Edi Rama. Ky është i interesuar për të shuar çdo hapësirë lirie. Ne do t’i shkojmë deri në fund, demokratët nuk dorëzohen dhe në do ta vazhdojmë deri në fund betejën për zbardhjen e masakrës së 25 prillit. Do përdorim çdo mjet do përgatisim strategjinë ligjore që do të ndjekim në Gjykatën Kushtetuese dhe në gjykatën e Strasburgut”, u shpreh Logu.
Më herët, Kolegji ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për paraqitjen e provave shtesë për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Qarkun e Beratit, Gjirokastrës, Vlorës, Tiranës dhe Shkodrës.



