
Këtë të hënë, Partia Demokratike ka zhvilluar mbledhjen e grupit parlamentar, ndërsa është zbardhur debati i ndodhur mes deputetëve të selisë blu. Deputeti Luan Baçi është shprehur se ka qenë pjesë e foltores së Sali Berishësh dhe se po shihet ndryshe në Partinë Demokratike dhe nuk po marrin pjesë në Komisionet Hetimore. Grida Duma i është përgjigjur Baçit duke i thenë se “duke sharë njëri-tjetrin nuk do të ketë bashkim mes demokratëve”.
Debati:
Luan Baçi: Ne deputetët që kemi marrë pjesë në foltoret e Berishës, po shihemi ndryshe nga PD, e po ashtu s’po marrim pjesë në Komisionet Hetimore parlamentare.
Grida Duma-Luan Baçit: Edhe pse të kam mik dhe do të të kem, unë nuk mendoj se duke sharë njëri-tjetrin ne do të bashkohemi.
Flutura Açka: Unë shkoj në takime në Elbasan, dhe më pyesin: Je me Berishën apo me Bashën. Kjo është e pafalshme. Duhet t’i bëjmë një pyetje vetes të gjithë: A duhet “berishizmi” të rikthehet në PD? Unë mendoj se PD duhet t’i kthehet ndryshimit.
Albana Vokshi: Nuk jam dakord që këtu të diskutohet për “berishizmin”, nëse duhet të kthehet apo jo, sepse këtë gjë e vendos anëtarësia.
Në mbledhje ka patur debat edhe mes deputetit Edmond Spaho dhe sekretarit të Përgjithshëm të selisë blu, Gazment Bardhi që është ndalur me propozimet për ndryshimet kushtetuese që do të çojë PD në Kuvend për reformën zgjedhore, vettingun e politikanëve dhe reformën territoriale.
Edmond Spaho: Amendamentet për ndryshimet kushtetuese s’mund të vinë vetëm për firmë, pa u diskutuar. Këtu duhet të vendose Grupi Parlamentar dhe Keshilli Kombetar.
Gazment Bardhi: Këtu ka një grup juristësh që kanë përgatitur materialin. Janë përgatitur nga juristët e PD-së, dhe do të diskutohen edhe në komisionin e ligjeve (me anëtarët e PD-së). Grupi parlamentar vendos politikisht, ndërsa juristet vendosin teknikisht dhe profesionalisht. Kështu na i ke sjellë edhe ti këto materiale, vetëm për firmë.
Edmond Spaho: Kam bërë shumë gabim që i kam sjellë kështu.



