
Tre kryebashkiakë socialist kanë marrë zyrtarisht mandatet e tyre. Rahim Spahiu, Edison Memolla dhe Blerim Shera të cilët dolën fitues në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit në Dibër, Rrogozhinë e Vorë mund të nisin mandatin e tyre 1-vjeçar si drejtues lokalë të zgjedhur nga votuesit.
Për tre fituesit e tjerë të zgjedhjeve, Bardh Spahinë, Emirjana Sakon dhe Eriselda Sefën KQZ shpjegoi se po kryen verifikimet e fundit nga administrata për të parë nëse janë përfshirë të gjitha qendrat e votimit në rezultat.
Kandidatët apo subjektet që kanë pretendime mund të ankimojnë brenda 24 orëve në KAS vendimin e KQZ.
Në mbledhjen e KQZ i pranishëm ka qenë vetëm përfaqësuesi ligjor i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” Altin Kazizaj teksa mungonte ai i Partisë Demokratike.



