
Fitorja e bashkisë Rrogozhinë nga kandidati socialist Edison Memolla, ka sjellë reagimin e drejtuesit politik të qarkut Erion Veliaj. “Faleminderit nga zemra qytetarëve të Rrogozhinës, të majtë e të djathtë, që na dhanë një mbështetje përtej pritshmërive tona më optimiste! Mirënjohje të majtëve, por edhe shumë të djathtëve, që bënë diferencën duke braktisur politikën ‘përça e sundo’ e ‘mish për top’ kundër Perëndimit! Demokratët nuk janë armiqtë tanë, ata nuk janë Saliu, familjet e tyre nuk vrasin e vjedhin, nuk i hapin luftë qytetërimit, nuk jetojnë duke shqyer tjetrin. Demokratët janë vëllezërit tanë dhe kush shkëputet nga Saliu e salinjtë ka kryer një vepër patriotike sot duke votuar majtas! Këtë mesazh e lexuam qartë e do t’ju shërbejmë me përulësi të gjithëve!” Veliaj thotë se ky është një rezultat i cili i jep përgjigje të gjithëve dhe i jep fund përpëlitjeve absurde nga njerëz që duan të përdorin votën për t’u mbrojtur nga zullumet që kanë kryer. Sipas tij, qytetarët e Rrogozhinës nuk e hanë presionin nga askush. “As nga xhepat e thellë as nga gojët e thella. Qytetarët e Rrogozhinës duan njerëzit që punojnë, jo ata që përfitojnë. Ky është mesazhi, ky është mandati që na dhanë. Puna! Kësaj do i dalim për zot! Punë të mbarë Edisonit e skuadrës sonë aty”. Ditën e djeshme qytetarët e Rrogozhinës rivotuan për zgjedhjen e kryebashkiakut pasi Kolegji Zgjedhor shpalli të pavlefshme zgjedhjet e 14 majit. Memolla mori 6658 vota ose 57.58%, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha mori 4906 vota ose 42.42%.



