
Partitë e vogla mbështesin PD-në në angazhimin për zgjedhje të lira e të ndershme. Pas takimit me aleatët që kreu i demokratëve thirri pasditen e sotme, kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, tha se qëndrimi i aleatëve është u njëjtë me atë të Bashës.
“Pas këtyre zhvillimeve të rëndësishme për vendin, pas qëndrimit të Presidentit të Republikës besoj që Basha në emër të gjithë opozitës ka shprehur qartë qëndrimin e tij. Angazhimin e opozitës për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën kryeministër. Ky është diskutimi që është bërë sot dhe qëndrimi ynë është i njëjtë me qëndrimin që ka mbajtur Basha në konferencë”, tha Mediu.
Kreu i republikanëve tha se do të vijojë qëndresa e opozitës për të garantuar zgjedhje të lira.
“Qytetarët do të qëndrojnë deri në fund për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe çdo veprim që do të ketë të bëjë me qytetarët, i opozitës, me ndërkombëtarët për të garantuar këtë proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm do të jetë pjesë e axhendës së opozitës”, tha ai.



