Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar një pritje me mësues nga i gjithë vendi me rastin e festave të fundit të vitit, të cilëve u tha se qeveria ka në plan rritjen e mëtejshme të pagave të tyre.
"Kemi në program rritjen e pagave të mësuese. Ne i kemi ngritur këto paga, që në fillim të mandatit të parë, por edhe këtë vit. Por e dimë që është më pak se ç’duhet të jetë, prandaj do të vazhdojmë me ngritjen progresive të kësaj page. Paga ime është padrejtësisht shumë më e lartë se e juaja, e këtë diferencë sëbashku ne do ta ngushtojmë. Nuk mund t’ju premtoj se në fund të këtyre 4 viteve paga juaj do jetë shumë afër times, por mund t’ju premtoj këtë gjë, që e imja nuk do rritet, ndërsa e juaj do të rritet vit për vit", tha Rama.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu edhe hapjen e një shkolle të re, për drejtorët e shkollave.
“Ndërtimin dhe fillimin e punës së shkollës së drejtorëve, një institucion i ri për të mundësuar rritjen e kapaciteteve në drejtimin dhe administrimin e shkollave. Ju të gjithë jeni dëshmitarë se sa e rëndësishme është që shkolla të ketë drejtues dhe sa rëndësi ka kjo”,theksoi Rama, i cili tha që viti që vjen do të jetë edhe fillimi i reformës së drejtimit të arsimit.
“Kam ardhur me atlete në solidaritet të mësuesve të fizkulturës se në vendin tonë ka gjithmonë kunguj që duan shpjegime për veshjen. Ndaj shpjegimi për sot është solidaritet me mësuesit e fizkulturës që janë një pjesë e rëndësishme dhe që ne kemi vendosur ti rikthejmë në detyrë pas degradimit prej çerek shekulli të këtij aspekti të edukimit dhe pas zhdukjes së sportit nga shkolla”, tha Rama.



