
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim u prit nga kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici ndërsa u surprizua nga vajzat e Qendrës Kulturore të Fëmijëve me këndimin e Himnit kombëtar të SHBA-ve.
Kryediplomatja zgjodhi të mos komentojë përballë gazetarëve për situatën politike dhe vendimin e shpalljes non grata nga DASH të Sali Berishës, ndërsa kryebashkiaku Gjici tha se takimi u fokusua rreth situatës social ekonomike, resurseve të këtij rajoni dhe mundësive për t’u zhvilluar më tej siç është edhe impakti nga aeroporti i Kukësit.
“I lumtur që mirëprita Ambasadoren e SHBA- së në Tiranë, Znj. Yuri Kim. Vizita e parë zyrtare në Bashkinë e Kukësit, ishte një kënaqësi e veçantë për mua dhe qytetarët kukësian.
Bashkëbiseduam për shumë tema ku sigurisht kryefjalë ishte Kukësi, mbështetja e vazhdueshme e Ambasadës Amerikane përmes programeve të ndryshme, thellimi i këtij bashkëpunimi në të ardhmen do jetë prioriteti ynë.
I tregova Znj. Kim atraksionet që ofron territori i Bashkisë së Kukësit, vlerat natyrore dhe njerëzore, por mbi të gjitha bujarinë dhe mikpritjen e kuksianëve, të cilët e treguan në luftën e Kosovës, duke pritur në pranverën e 99-ës, 1 milion kosovarë”, tha Gjici.
Gjatë vizitës Kim, pati edhe një ndalesë në Muzeun Etnografik ku është njohur me kulturën e trashëgiminë e trevës tonë.



