Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha sot në çadrën e protestës se ka marrë informacion se gazetarë amerikanë janë shumë pranë zbulimit të skandalit të plehrave që mafia ndërkombëtare ka depozituar në Shqipëri.
“Mbrëmë, natën vonë, miq nga SHBA, gazetarë kanë njoftuar se janë shumë pranë zbulimit të dimensionit të vërtetë të skandalit të plehrave që mafia ndërkombëtare ka depozituar në Shqipëri. Bravo për gazetarët, nuk ka vend për duartrokitje. Nëse këto fakte shpalosen ashtu si më janë njoftuar, atëhere ai që qëndron prapa kësaj fasade në zyrën e tij do të duhet të zbresë dhe t’ju shpjegojë shqiptarëve se pse i hapi dyert mijëra tonëve mbetje të rrezikshme që sot mund të gjenden në truallin tonë, pranë burimeve ujore dhe mund të kenë filluar të helmojnë”.
“Java e sotme do të jetë përcaktuese për transparencën e këtij megaskandali. Nëse është e vërtetë, kjo nuk është asgjë më pak se genocid ndaj shqiptarëve. Të sjellësh mbetje të rrezikshme kundër ligjit, ta mbash të fshehtë, t’i depozitosh në tokën e qytetarëve të tu pa marrë asnjë autorizim, kjo do të thotë të jesh bashkëpunëtor me genocidin kundër popullit tënd”.



