
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar ankesën e kandidatit për bashkinë e Lezhës, Eduart Ndocaj dhe Partisë Konservatore Albania për të hapur disa kuti në Lezhë.
"Shqyrtimi i kërkesës ankimore nr.58 paraqitur nga subjekti zgjedhor partia “Kombëtare Konservatore Albania”. Ditën e premte në orën 10:00, vijon shqyrtimi i kërkesës ankimore me marrjen e provave dhe rinumërimin e rivlerësimin e votave në 11 qendrat e votimit të objektit të kërkesës ankimore." njofton KQZ.
Sipas pretendimeve të Ndocajt në 11 qendra votimi në bashkinë e Lezhës ka patur më shumë vota sesa votues dhe për këtë arsye do të hapen kutitë për të parë shkeljet.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Konservatore deklaroi se në këto qendra votimi janë vënë re më shumë vota se votues.
Kujtojmë se Kodi Zgjedhor parashikon se nëse numri i votave ndikon në rezultatin e zgjedhjeve atëherë shpallen qendrat e pavlefshme. Edhe nëse 11 qëndra që do të hapen shpallen të pavlefshme, Pjerin Ndreu sërish mbetet në avantazh, pasi ka një diferencë prej rreth 12 mijë votash.
Seanca e KQZ për të shqyrtuar hapjen e 11 kutive në Bashkinë e Lezhës do të mbahet nesër.



