Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë bërë gati pajisjet ku do të flasin qytetarët dhe drejtuesit e Partisë Demokratike, në protestën kombëtare të opozitës e parashikuar që të nisë në orën 17.00 të pasdites së sotme.
Gazetari Mariglen Kume raportoi për edicionin e lajmeve në MCN TV se në foltore do të ngjitet nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, Xhonatan Pano dhe momenti i protestës do të kulmojë kur do të ngjitet kryedemokrati Sali Berisha për të mbajtur fjalën e tij.
Ndërkohë institucionet kryesore do të jenë në mbrojtje nga policia në një kohë që rreth 1000 efektivë janë në gatishmëri.
Zoti Berisha do të niset nga selia e PD së bashku me një grup deputetësh dhe funksionarësh të PD, drejt bulevardit për t’u bashkuar me protestuesit. As në këtë protestë nuk do të mungojnë koktejet e molotovit.
Sot zoti Berisha ka njoftuar një akt të ri të protestës së opozitës, pasi tha se PD do i shtrijë protestat edhe në ambasadat shqiptare në vendet e BE, për të njoftuar kundërshtitë që ka opozita me qeverisjen aktuale.
Ndërkohë punonjësit e policisë janë mbledhur pas Kryeministrisë, ku komandantët sipas komisariateve, po u japin instruksionet e tyre për tu përballur me protestën. Janë mbi 1000 punonjës policie të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës. Gjithashtu janë bërë gati makinat me ujë me piper që shpërndajnë protestuesit.



