
Kandidati i grupit Alibeaj për Mallakastrën, Agron Kapllanaj në një lidhje skype për MCN Live deklaroi se Berisha nuk është përbashkuesi i demokratëve dhe se ai nuk mund të jetë personi i duhur për të sjellë PD në pushtet.
Ndërsa lidhur me protestën e organizuar më 6 dhjetor, Kapllanaj bëri me dije se nuk do të jetë i pranishëm pasi nuk mund t’i bashkohet një proteste për arsye personale të një personi.
Berisha nuk është përbashkësi i demokratëve dhe që mund të sjellë demokratët në pushtet. Ai ka hallet e veta, unë e mirëkuptoj dhe e mbështes në kuptimin njerëzor, por do doja që Berisha të mos ngatërronte PD me hallin e vet personal. Kështu si po vazhdon nuk është se ka ngjallur shpresë dhe sigurisht brenda militantëve ka një pjesë të mirë që i shkon nga pas, por mos të harrojmë se një pjesë e heshtur janë shumë herë më shumë se ajo pjesë që e ndjek dhe po të shohim në 6 mars shumica e elektorati nuk shkuan të votojnë dhe pikërisht këta janë ata që vendosin fatin e një partie nëse fiton apo nuk fiton. Unë jam një nga qytetarët që kam protestuar dhe vazhdoj ta bëj dhe jam pro protestave, por ato që bëhen për interesa të qytetarëve dhe jo individëve të veçantë, prandaj nuk do jem në 6 dhjetor, por jo se jam kundër protestave reale. Hallin e ka Berisha që ka 1 vit që kërkon me çdo kusht të uzurpojë dhe përçajë PD.
I pyetur se kë sheh lider të kësaj force politike, ai ka preferuar të mos përmendë emra të veçantë, ndërsa nuk ka përjashtuar as Enkelejd Alibeajn.
Të them të drejtën nuk është se kam preferenca të njërit apo tjetrit, jam për një lider që të sjellë një frymë të re dhe të ngrejë frymën e besimit, shpresën te shqiptarët. PD ka disa të tillë, zonja të nderuara, emra s’do të përmend, Alibeaj është një prej tyre, por në momentin që do bëhet një garë ku do marrin pjesë disa kandidatë për drejtimin e PD dhe unë personalisht do të shoh se kush është ai që mendoj se është më i miri dhe në momentin që do ketë një fitues të garantoj se unë i pari dhe të gjithë dashamirësit e këtij vendi do mblidhen rreth tij dhe në shumicë do jenë gati për betejën e radhës që është në 2025 dhe uroj që kjo të ndodhë për të mirën jo vetëm të një force politike, por për të mirën e vendit. Uroj që bashkimi në PD të ndodhë sa më parë dhe natyrshëm sepse nevoja e kërkon dhe jam shpresë plotë që kjo do ndodh, por të ndodhë sa më parë që dëmi të jetë sa më i vogël.



