Me prezentimin e Qeverisë së re në Mal të Zi, mandatari për formimin e Qeverisë së re, Zdravko Krivokapiç, paraqiti propozimin përfundimtar të përbërjes së kabinetit qeveritar.
Zëvendëskryeministër do të jetë Dritan Abazoviç, udhëheqësi i Aksionit të Reformës së Bashkuar (URA), dhe i koalicionit “E zeza në të bardhë”.
Ministre e Mbrojtjes është propozuar Olivera Injac, profesoreshë e çështjeve të sigurisë. Në pozitën e ministrit të Brendshëm, Sergej Sekuloviç, ndërsa për atë të punëve të Jashtme, Gjorgje Raduloviç.
Millojko Spaiç është emëruar për ministër të Financave dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa në qeverinë e re do të bashkohen katër resore: i arsimit, shkencës, kulturës dhe sporteve, për udhëheqjen e kësaj ministrie është emëruar, Vesna Bratiç.
Sipas propozimit të Krivokapiçit, ministre e Shëndetësisë duhet të jetë Jelena Boroviniç Bojoviç, ministër i Zhvillimit Ekonomik Jakov Milatoviç, ministër i Investimeve Kapitale, Mladen Bojaniç, ministër i Administratës Publike, Shoqërisë Dixhitale dhe Media, Tamara Srzentiç.
Ministri i Ekologjisë, Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor duhet të jetë Ratko Mitroviç, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave Aleksandar Stijoviq dhe Ministri i Drejtësisë dhe të Drejtave të Pakicave Vladimir Leposaviç.
Krivokapiç tha se negociatori kryesor me BE-në do të emërohet rreth datës 15 dhjetor. Për përbërjen e re të qeverisë së Malit te Zi parlamenti do të votojë më 2 dhjetor.
Në 8 tetor, presidenti malazes Millo Gjukanoviç emëroi Krivokapiqin si mandatar për formimin e qeverisë, pasi opozita fitoi zgjedhjet e 30 gushtit.
Pas tre dekadash, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Gjukanoviçit, u largua nga pushteti dhe një shumicë e re në parlament tani përbehet nga tre koalicione: “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe koalicioni “E zeza në të bardhë”.



