
Emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka folur para mediave pas takimit që pati sot me kryeministrin Albin Kurti në Kosovë.
Lajçak, ka thënë se ju takon palëve ta përcaktojnë marrëveshjen finale dhe se kjo nuk varet nga ndërmjetësuesit e dialogut.
“Për këtë duhet të vendosin Kosova dhe Serbia… nuk është se vendosi unë për ju dhe për këtë është dialogu”, ka thënë ai, pasi është pyetur nga gazetarët lidhur me marrëveshjen finale për të cilën së fundmi janë shtuar diskutimet se ajo mund të mos përfshijë njohjen reciproke.
Ai tutje ka thënë se diskutimet me Kurtin ishin konstruktive dhe të dobishme, ndërsa ka pranuar se kanë biseduar edhe për propozimin franko-gjerman.
Sigurisht që e kemi diskutuar. Kjo edhe është arsyeja pse jam këtu në baza javore. Por, shpresoj që ta kuptoni se nuk do të ndihmojë procesin nëse jap detaje, janë çështje të ndjeshme.
Ne kishim diskutime shumë serioze, të mira dhe konstruktive.
Këto janë çështje të ndjeshme dhe unë jam në kontakt të përjavshëm me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç.
I pyetur për vendimin e Qeverisë së Kosovës që më 31 tetor të përfundojë afati për kthimin e targave nga ilegale në RKS, ka refuzuar të komentojë duke thënë se kjo çështje i takon kryeministrit Kurti.
Takimi dhe biseda me kryeministrin Kurti ishte shumë konstruktive dhe e dobishme. Po bëjmë progres në diskutimet tona dhe kjo është çfarë mund të them tani. Lidhur me targat, ne e diskutuam këtë çështje dhe i takon kryeministrit Kurti të vendos, kemi pasur diskutim të hapur.
Ne jemi këtu të ndihmojmë dhe brenga jonë është që të mos ketë tensione dhe dhunë.
Kjo nuk është në interes të Kosovës, sidomos në këtë periudhë të rëndësishme të proceseve, siç janë diskutimet për liberalizmit të vizave dhe çështja e anëtarësimit në Këshill të Evropës. Gjëja e fundit që Kosova do të kishte nevojë është dhuna.
Lajçak ka folur edhe për draftin e fundit i publikuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se për këtë çështje është informuar nga mediat.



