Kryeministri Edi Rama ka ndarë me qytetarët pamjen se si do të duket aeroporti i Vlorës. Video e cila është 3D shfaq të gjithë ambientin rreth aeroportit.
Në videon e shpërndarë, Rama shpjegon se do të mundësohen fluturime direkte Vlorë-New York dhe anasjelltas.
“Të gjitha kushtet e aeroportit të Vlorës janë të tilla që fluturimet të jenë Vlorë-New York dhe New York-Vlorë sepse “Fan Nolin” ne do ta çojmë në Amerikë dhe shqiptarët do ti sjellim nga Amerika direkt në Shqipëri,” dëgjohet të thotë Rama në videon e publikuar.
Po ashtu ai shton se në Vlorë do të ngrihet edhe Akademia e Aviacionit Civil që do të prodhojë eksperët shqiptarë të aviacionit dhe deri te pilotët.
Ai thekson se investimet e ndërmarra do të rrisin në mënyrë eksponenciale numrin e turistëve në vend, duke theksuar se "është koha ta bëjmë Shqipërinë që të mos e ulë më kokë, por përkundrazi ta ngrejë lart e më lart.
Kujtojmë se më 20 prill u nënshkrua edhe kontrata me kompaninë fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, ku kryeministri Edi Rama është shprehur se ky moment është më i rëndësishëm se vaksina.
Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet brenda 4 viteve të ardhshme dhe do të jetë i tretë aeroport ndërkombëtar në vend.
Fitues për ndërtimin e tij, janë shpallur tre kompani Mabetex Group, YDA Group she A2 SHPK.



