
Parlamenti Evropian publikoi një draft raport për Kosovën në të cilin, ndër të tjera, mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj dhe u bën thirrje vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur për ta bërë këtë.
Raporti thekson rëndësinë e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për integrimin e mëtejshëm evropian të Serbisë dhe Kosovës dhe u bën thirrje të dyja palëve që të angazhohen në atë dialog, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, bazuar në njohjen e ndërsjellë dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Raporti bën thirrje për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Në raportin e nënshkruar nga raportuesja për Kosovën, Viola von Kramon, deputete e të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, u vlerësua përafrimi i Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, dhe në veçanti dënimi i ashpër i sulmit rus ndaj Ukrainës dhe vendosja e sanksioneve kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.
Është shprehur edhe përkrahja për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe NATO.
Është ky draft i parë i dokumentit, autor i të cilit është raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Draft raporti për Kosovën fillimisht do të prezantohet në Komisionin për Punë të Jashtme, pas së cilës do të kalojë një afat dyjavor për amendamentet e mundshme.
Më pas, në gjysmën e dytë të vitit, i njëjti votohet në seancë plenare kur merr versionin e Rezolutës së Parlamentit Evropian.



