
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi përshëndet në emër të partisë parlamentin bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.
Në një komunikim për mediat ditën e sotme, ai tha se ky është një hap i parë kyç në zhbllokimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.
Ritheksojmë faljen, që i kërkoi sot Kryetari i Partisë Demokratike kombit bullgar, për gjuhën prej fyesi serial të Kryeministrit Rama. Duke shtuar këtu se, heqja e vetos do ta rifusë procesin e integrimit në shinat e vërteta, ato të meritokracisë.
Partia Demokratike beson se nuk është vetoja bullgare arsyeja e mos hapjes së negociatave, por një radhë shkaqesh të tjera: Ndër to:
Shpopullimi masiv i vendit, që ka derdhur në dyert e Europës më shumë shqiptarë se sa banorë të zonave të luftës në Afrikë dhe Lindje të Mesme;
Korrupsioni me shokët ministra dhe shokët e ministrave, një pjesë në kërkim kombëtar e ndërkombëtar; Përfshirja në vjedhje të pasurive publike, në trafik droge, dhe dhënia e statusit të investitorit strategjik të familjarëve të ministrave.
Njolla e zgjedhjeve të manipuluara, që e kemi parë në kaq shumë përgjime e raporte.
Kur thotë se Europa është më e sëmurë se Putini, ne i kujtojmë zotërisë në fjalë se Shqipëria, nën keqqeverisjen e tij, është kthyer në të ‘sëmurën e Europës’.



