
Gazetari Artan Hoxha thotë se publikimi i videos së Safet Gjicit ka prishur planin fillestar, në kuadër të të cilit është realizuar. Hoxha tha se ata që e kanë ideuar regjistrimin e videos, për arsye që nuk dihen, nuk kanë mundur ta shmangin publikimin e saj. “Është kërkuar pajisja origjinale që ka realizuar regjistrimin. Është kërkuar të dihet sa i gjatë është regjistrimi dhe pse u bë filmimi. Fakti që nuk është thirrur Gjici do të thotë se prokuroria po plotëson mozaikun për ta thirrur më pas për masën. Unë kam nxjerrë videon e plotë. Habitem kur dëgjoj teoritë konspirative. Regjistrimi është bërë për interesa të atyre që e kanë çuar vajzën atje. Por ata që e kanë bërë këtë punë nuk e kanë mbajtur dot regjistrimin. Në këtë rast mund të jenë paguar edhe para që të mos dalë. Dalja ka prishur të gjithë skemën. Nëse nuk do të publikohej ai regjistrim, Gjici do të ishte në mandatin e dytë, mbase në mbledhjen e radhës do miratonte edhe atë kontratën”, tha ai.



