
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, thotë se protesta e 27 janarit do të jetë një goditje e fuqishme që do të shënojë nisjen e një rrugëtimit që do të përfundojë me çmontimin e qeverisë “Rama”.
“Pjesëmarrja masive në protestën e 27 janarit është sinjali më i qartë, treguesi më i drejtpërdrejtë për çdo shqiptar, për zullumqarët dhe për miqtë e Shqipërisë, se ora e Edi Ramës në Shqipëri ka marrë fund. Se një orë e re ka nisur të trokasë. Dhe se ky vend dhe qytetarët e këtij vendi nuk e pranojnë më aleancën me krimin dhe janë të vendosur t’i shkojnë deri në fund betejës për Shqipërinë europiane”, tha ai sot gjatë një takimi në Lushnjë.
Basha tha se largimi i Edi Ramës do t’i hapë rrugë një qeverie antimafia, e aftë për të zbatuar reformën në drejtësi, që nuk mbron, por ndëshkon kriminelët e veshur me pushtet dhe ministrat e korruptuar.
Protesta e paralajmëruar nga opozita në 18 dhjetor do të mbahet më 27 janar. Vendimi për nisjen e një sërë protestash opozitare u mor pas seancës së tensionuar , gjatë të cilës u miratua vetëm me votat e maxhorancës emri i Arta Markut si kryeprokurore e përkohshme.



