
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pasi Shqipëria u zgjodh për herë të parë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Në një postim në Tëitter, ambasadorja amerikane Yuri Kim shkruan se kjo është nja ngjarje historike.
Ndërsa uron Shqipërinë për zgjedhjen për herë të parë në Këshillin e Sigurimit, diplomatja amerikane shprehet se SHBA-të presin që të punojnë më ngushtë me vendin tonë në rajon dhe rreth e qark botës.
'Ngjarje historike! Urime Shqipërisë që u zgjodh për herë të parë në Këshillin e Sigurimit në OKB. SHBA pret të punojë me Shqipërinë edhe më ngushtë në rajon dhe në botë. Urime!'- shkruan Yuri Kim.
Në lidhje me këtë lajm, ka reaguar poashtu edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Soreca shprehet se kjo është një ditë historike për Shqipërinë dhe popullin e saj.
“Ditë historike për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Urime për zgjedhjen si anëtare e KS të OKB-së, për vitet 2022-2023.
Presim që të punojmë edhe më shumë së bashku, me adresimin e çështjeve rajonale e globale”.



