
Kryeministri Rama njoftoi sot se qeveria ka marrë kërkesën zyrtare për investimin e madh strategjik të aeroportit të ri kombëtar të Vlorës. Në një status në rrjetet sociale, Rama shkruan se muaji qershor do të shënojë hapjen e kantierit të punës për ndërtimin e tij.
Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është paraqitur shprehja e interesit për projektin e aeroportit të Vlorës, që sipas propozimit mendohet te ndërtohet në zonën e Akërnisë.
Oferta është paraqitur nga një konsorcium i tre kompanive ndër më seriozet, të cilat janë: Cengiz Construction; Kalyon Construction; Kolin Construction.
Për shqyrtimin e ofertës do të ngrihet një grup i posaçëm me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës e Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ky grup do të analizojë aspektet teknike të propozimit dhe do të ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me përcaktimet ligjore. Investimi do jetë privat, pra jo me të ardhurat nga buxheti i shtetit.
Aeroporti i Vlorës mund të pasohet nga ndërtimi i një tjetër aeroporti të vogël në jug të vendit. Ministri i Infrastrukturës e Energjisë, Damian Gjiknuri, gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin e Ekonomisë në fund të vitit të kaluar e la të hapur këtë mundësi. Gjiknuri tha se po vlerësohet mundësia e ndërtimit të një aeroporti turistik në Sarandë.



