
Dje në Bruksel u mbajt rundi i radhës i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve.
Bashkimi Evropian i ka hedhur poshtë sot pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se gjatë takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut në Bruksel më 14 shtator, vetëm ai ka paraqitur një propozim të sekuencuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazës, duke theksuar se edhe Unioni ka paraqitur para palëve një plan të saj për implementimin e sekunecuar.
Duke rikujtuar se përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se BE-ja e ka dorëzuar propozimin e kompromisit që implementimi të shkojë paralelisht, burimet e BE-së për REL, kanë thënë se qysh në qershor i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kishte prezantuar një plan të sekuencuar dhe për të kishte pasur deri me tash shtatë runde të takimeve të ndara me palët.
Prandaj, burime nga BE-ja thonë se deklarata e kryeministrit Kurti se propozimi i tij ishte i vetmi në tryezë është “thjesht i pasaktë”.
Dokumenti, në të cilin thirren burimet e BE-së përmend që zbatimi do të niste me “Hapjen e procesit negociues për Statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“, që nënkupton Asociacionin e Komunave.
Paralelisht, Serbia nuk do të insistonte më në përdorimin e asteriskut dhe fusnotës, apo pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale.
Pastaj do të përmbylleshin negociatat për “Statutin e instrumenteve të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës”.
Hap i radhës, sipas këtij propozimi të BE-së, do të ishte që palët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çdo formë e dhunës, apo nxitjes së dhunës.
Sipas BE-së, më pas do të vendoseshin “instrumentet e vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës“ dhe paralelisht do të ndërpriteshin strukturat e administruara nga Serbia në Kosovë dhe transformimi i tyre nën instrumentet e vetëmenaxhimit.
Kjo do të pasohej nga njohja e dokumenteve dhe simboleve shtetërore.
Si hap i radhës do të ishte marrëveshja për një udhërrëfyes të obligueshëm për zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog.
Ky dokument në të cilin thirren burimet e BE-së, mban datën e 19 korrikut të këtij viti.
Takimi i së enjtes mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, u mbajt me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Lajçak dhe nuk prodhoi ndonjë rezultat.



