Deputeti i PD Belind Këlliçi foli për mediat në lidhje me dëshminë e dhënë sot prej tij në GJKKO, ku ishte në cilësinë e dëshmitarit dhe kallëzuesit për dosjen “5D”.
Ai tha se pyetjet e avokatëve mbrojtjës të të pandehurve për dosjen “5D” kanë qenë intimiduese dhe deri diku është kaluar në kërkesë llogarie.
“Isha i thirrur si dëshmitar dhe kallëzues për dosjen e korrupsionit ‘5D’, dosjen famoze të pesë drejtorëve. Jam pyetur në mënyrë intimiduese për deklaratat publike, deri diku është shkuar deri në kërkesë llogarie nga avoketërit mbrojtës të personave të akuzuar. Është kaluar në interpretime dhe akuza politike dhe ridikulizim të situatës. Ka patur edhe pyetje a e fitova apo jo Bashkinë e Tiranë. Po ua jap përgjigjen këtu, më mirë këtu ku jam unë sot, se sa si fituesi i 14 majit të vitit 2023 dhe shtabi 5D. Jam pyetur për burimin e informacionit dhe teknikalitete që kanë të bëjnë me çështjen. Kallëzimi i nisur kryesisht nga SPAK, është bashkuar me kallëzimin tim”.



