
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka pritur në takim sot ministrin e Arabisë Saudite për Çështjet Islame, Abdullatif bin Abdulaziz bin Abdulrrahman al Shaikh.
Gjatë takimit midis tyre u diskutua mbi zgjerimin e marrëdhënieve shumë të mira midis të dy vendeve dhe u shpreh vullneti i të dy palëve për t’i avancuar ato.
Fokusi i bisedës midis tyre ishte në fushën e ekonomisë, investimeve, shkëmbimeve tregtare, turizmit dhe në të gjitha fushat e përfitimit të ndërsjellë të qytetarëve e vendeve tona.
“Shqipëria është një vend që dallohet për bashkëjetesën dhe harmoninë midis komuniteteve fetare. Mozaiku fetar i Shqipërisë është një pasuri dhe jo një problem për vendin, si edhe një model tolerance për të gjitha vendet. Komuniteti mysliman i Shqipërisë një komunitet progresist dhe tolerant, kontribuues për zhvillimin dhe demokracinë e Shqipërisë”, theksoi Nikolla.
Gjithashtu kryeparlamentarja, shprehu mirënjohjen për ndihmën humanitare që Arabia Saudite i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, sidomos për përballimin e pasojave të tërmetit dhe pandemisë.
Nikolla, dhe ministri al Shaikh biseduan edhe mbi bashkëpunimin e të dy vendeve në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.



